Çfarë ndodh kur vëllavrasësi i parë në histori rikthehet në Tokë për t’u gjykuar?
I sjellë nga Ferri për të dhënë llogari për krimin që ndryshoi fatin e njerëzimit, Kaini rrëfen historinë e një familjeje ku ndjenja e refuzimit dhe xhelozia ndaj vëllait të tij, Abelit, u shndërruan në aktin e parë të vrasjes.
Por ndërsa përpiqet të mbrojë veten, ai ngre një akuzë të rëndë ndaj njerëzimit: jo vetëm që e trashëgoi krimin, por edhe e përsosi atë.
Megjithatë, mbi të gjitha qëndron gjyqi më i pamëshirshëm – ai i ndërgjegjes, ku hija e Abelit dhe kujtimi i vrasjes e ndjekin pa pushim.
E frymëzuar nga universet e Andrea Camilleri dhe José Saramago, kjo shfaqje është një hetim teatral mbi origjinën e dhunës njerëzore dhe mbi momentin kur njeriu bëhet armik i njeriut.
A do të ekzistonte vrasja, nëse Kaini nuk do ta kishte vrarë Abelin?